Atentati ndaj Trump, Bumçi: Për shkak të klimës së polarizuar në SHBA. E njëjta gjuhë urrejtje po përdoret dhe me opozitën këtu
Atentati ndaj ish presidentit të SHBA Dondal Trump, njëherësh kandidat për president është një akt i rëndë për vetë vlerat e demokracie dhe lirisë që përcjellë Amerika për vendet e tjera. Kështu e cilësoi ngjarjen ish ministri i Jashtëm Aldo Bumçi në një intervistë për RTSH 24, ku shtoi se kjo ndodhi për shkak të polarizimit të madh të klimës politike që po ndodh vitet e fundit në SHBA.
Bumçi tha se kjo ngjarje nxit veprime të tjera nga regjimet autoritare dhe diktatorët, ku sipas tij u jep guximin që ta eliminojnë kundërshtarin politik.
Ish ministri tha se retorika e përdorur nga demokratët në SHBA kundër Trump, ka nxitur veprime të tilla dhe një gjuhë urrejtje ndaj ish presidentit.
“Ky është një mesazh shumë i rrezikshëm, jo vetëm një ngjarje e rëndë për SHBA-në dhe demokracinë, por për atë qe SHBA përfaqëson në botë si demokracia më e madhe si vendi që vlerat e demokracisë dhe lirisë kanë frymëzuar vendet e gjithë botës. Kjo ngjarje e rëndë ku shkohet për eliminimin fizik të një ish presidenti dhe kandidati për president është një ngjarje e rëndë për demokracinë në botë. Çfarë ndodh në gjysmë demokraci? Nëse në SHBA shkohet drejt eliminimit të kundërshtarit politik, por në vende të tjera kur demokracia është e brishtë dhe nën regjimin autoritare? Atëherë eliminimi i kundërshtarit politik qenka normale. Trump falë zotit ka shpëtuar pa dëmtime të rënda , por dëmi është shumë i madh. Flasim për klimën politike. Republikanët fajësojnë retorikën e Biden për këtë ngjarje, por nuk janë vetëm ato. Kjo është para gjithë botës dhe nuk është vetëm Biden. Në SHBA kemi një situatë të polarizuar që ka nisur para 8 vitesh dhe nuk ka qenë më parë. Kjo situatë kur ti e shikon kundërshtarin politik si rrezik për demokracinë dhe kur ti përdor çdo mjet kundër tij, ku fillojnë qe më çështjet gjyqësore, e paprecedentë, atëherë kjo klimë së bashku me retorikën që Trump përbën një rrezik për demokracinë të çon në një situatë dhe polarizimi dhe veprime ekstreme. Kemi këtë klime të krijuar nga demokratët, mediat pranë tyre dhe opinionistët që e portretizojnë kundërshtarin si një armik që duhet eliminuar pasi sjellë shkatërrim të demokracinë. Po sistemi i drejtësisë? Dhe ai është i drejtuar politikisht. Është kjo klimë që e majta amerikan ka ndodhur kundër kandidatit të republikanëve, kjo gjuhë ka nxitur dhe polarizuar jetën politike dhe ka nxitur aktet individuale për këtë gjuhë urrejtje”, tha Bumçi.
Duke hequr një paralele mes ngjarjes në SHBA dhe arrestimit të Sali Berishës, Bumçi tha se e njëjta gjuhë urrejtje po përhapet prej 11 vitesh kundër opozitës shqiptare. Bumçi tha se nxitet një gjuhë urrejtje ndaj opozitës shqiptare dhe se kjo mund të sjellë përshkallëzime që mund të dalin jashtë kontrollit.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në Amerikë. Ne kemi në vendin tonë një klimë urrejtje dhe kemi 11 vite që akuzojmë se fajin e ka Berisha. Po goditja e tij kur po shkonte në një miting politike? Një guxim të tillë nuk e ka një njeri i vetëm. Po arrestimi i tij? A është kjo e njëjtë me atë që shohim në Amerikë? SHBA është në demokraci e konsoliduar dhe në nuk jemi. Kjo histori turpi që po ndodh me opozitën në vendin tonë duhet të ndalojë pasi gjërat mund të përshkallëzohen dhe të dalin jashtë kontrollit. Ky përshkallëzim ndaj opozitës shqiptare nuk është akt i një individi por regjimin e Edi Ramës që arrestohen liderin e opozitë pa asnjë akuzë. Po ku ndodh kjo? Nuk mund të kufizohet aktiviteti polik i një deputeti se ti thua po heton. Po zoti Beleri nuk shkonte dot në Himarë për t’u betuar por shkon në Strasburg. Pse Berisha nuk shkon dot në Kuvend që e ka 500 metra larg shtëpisë së vetë? Kemi një klimë urrejtje dhe beteja shkon drejt opozitës që nga betejat në Kuvend deri tek arrestimi i liderit të saj pa akuzë. Të rikthejmë vendin në normalitete dhe kjo bëhet përmes qeverisë teknike dhe ndalimin e klimës së urrejtjes që fajin e ka opozita dhe Sali Berisha. Kjo është një ngjarje e rëndë për SHBA se është guri i themelit të demokracisë në botë, jo vetëm një superfuqi ushtarake e materiale. Çdo vend është frymëzuar prej vlerave demokratike të HSBA dhe nëse ajo sulmohet me atë që ndodhi forcon diktatorët dhe regjimet autoritare, i bën më të guximshëm, ky është mësimi: të kthejmë vendin në normalitet dhe të ndalojmë gjuhën e urrejtjes kundër opozitës. Është e njëjta skemë, e njëjta gjë”, tha Bumçi.
Ish presidenti Donald Trump i shpëtoi atentatit me një lëndim në vesh nga plumbi që e preku gjatë një tubimi në Pensilvani. Gjatë sulmit humbi jetën një person i pranishëm në tubim dhe mbetën të plagosur rëndë dy të tjerë. Autori i sulmit u identifikua nga FBI si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, i cili u qëllua nga autoritete. Arsyet e sulmit nuk dihen ende, ndërsa Trump ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.