Atentati në Kurbin dyshohet për hasmëri – Biznesmeni Ardian Gjeloshi mohon të ketë patur konflikte
Atentati me armë zjarri, ndaj 51-vjeçarit Ardian Gjeloshi në Gurëz të Kurbinit ku mbeti i plagosur ky i fundit dhe u vra ekonomisti i firmës, Selman Mihana vijon të mbetet pa autor.
Në deklarimet e tij para hetuesve, teksa ka treguar dinamiken e ngjarjes, biznesmeni Gjeloshi ka mohuar të ketë konflikte, duke mos e orientuar grupin hetimor drejt një piste hetimi.
Ndërkohë përgjatë dy ditëve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm personash të cilët mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.
Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hasmëria, e cila lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2002 ku mbeti e vrarë një grua dhe u plagos një efektiv policie dhe të dyshuar për krimin kanë qenë 51-vjeçari Gjeloshi së bashku me vëllanë e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka dyshime të forta se autorët mund të kenë qenë vrasës me pagesë, që mund të kenë ardhur nga zona e Krujës e më pas janë larguar përmes rrugëve dytësore me një automjet Rang Rover me ngjyre të zezë i cili rezulton të jetë i vjedhur.
Lëvizjet e tyre janë filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë, por nuk është arritur identifikimi pasi mbanin maska.
Atentati me armë zjarri ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të së shtunës, sapo objektivi hyri në biznesin e përpunimit të inerteve në pronësi të tij, ndërsa referuar dinamikës së ngjarjes mendohet se autorët i kanë ruajtur lëvizjet e tij.