Atentati në Kurbin, zv.drejtori i policisë: Objektiv i sulmit pronari i firmës, po hetohen konfliktet e tij
Zëvendës drejtori i Policisë në Lezhë, Gentjan Berberi tha se objektiv i atentatit në Kurbin mëngjesin e 10 shkurtit ka qenë pronari i firmës së përpunimit të inerteve Ardjan Gjeloshi, i cili ka mbetur i plagosur dhe është jashtë rreziku për jetën.
Në një deklaratë për mediat nga vendi i ngjarjes, zv.drejtori i policisë Lezhë tha se pistë hetimi janë konfliktet që pronari i firmës mund të ketë pasur. Autorët dyshohet se kanë qëlluar me automatik.
“Sot rreth orës 07:00 është njoftuar se është qëlluar me armë zjarri është tentuar të vritet A.GJ. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën S.M. Është ngritur një grup hetimor i posaçëm dhe kemi ndihmën të ekspertëve të kriminalistikës. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Po hetojmë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që ka pasur pronari, i cili ka mbetur i plagosur dhe është jashtë rreziku për jetën”, tha Berberi.
Nga atentati në fshatin Gurez mbeti i vrarë ekonomisti 70-vjeçari S.M, ndërsa është plagosur Ardian Gjeloshi, 51 vjeç, i cili u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia e Kurbinit, forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale RENEA vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.