Atentati në Moskë, Ukraina mohon se 4 terroristët e arrestuar kishin lidhje me të
Ukraina ka kundërshtuar pretendimin e inteligjencës ruse se 4 terroristët e arrestuar për sulmin në një sallë koncertesh në Moskë kishin kontakte me të dhe do kalonin kufirin.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se terroristët po planifikonin të kalonin kufirin me Ukrainën dhe se ata kishin “kontakte” në anën ukrainase. Vetë Ukraina e ka quajtur “absurde” akuzën.
Një zëdhënës i drejtorisë së inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov tha për BBC se zona kufitare me Ukrainën është “e mbushur me shërbime speciale dhe ushtri. Gjithashtu ngjarjet e fundit në rajonin e Belgorodit dhe Kursk ku ka aktivitet ushtarak nënkuptojnë se kjo është një vijën e parë”.
“Të sugjerosh se të dyshuarit po shkonin në Ukrainë, do të sugjeronte se ata ishin budallenj ose vetëvrasës”, tha Yusov
Mbrëmë, inteligjenca ushtarake ukrainase pretendoi se i gjithë sulmi ishte një operacion i planifikuar nga Moska, me qëllim që të fajësonte Ukrainën të përshkallëzonte luftën dhe të merrte mbështetje për mobilizimin e një popullsie (të ngurruar) për të luftuar.
Ka shkuar rreth 115 persona numri i viktimave dhe rreth 142 të plagosur nga sulmi terrorist i ndodhur më 22 mars në një sallë koncertesh në periferi të Moskës.
Persona të armatosur hapën zjarr mes turmës së njerëzve si dhe hodhën lëndë djegëse në sallë duke i vënë flakën. ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa 4 persona të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin në sallën e koncerteve në Moskë janë në mesin e 11 të arrestuarve, thotë shefi i sigurisë së Rusisë.