Atentati në Shkodër, në automjetin e autorëve gjenden 3 karikatorë kallashnikovi
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja e mbrëmshme (12 mars) në fshatin Grudë e Re e Shkodrës. RTSH ka siguruar foton e efektivit Gjergj Ndërshtiqaj i cili mbeti i plagosur së bashku me kunatin e tij Gjin Nika.
Po ashtu, mësohet se në automjetin e përdorur nga autorët janë gjetur tre karikatorët e kallashnikovëve që u zbrazën në drejtim të Ndërshtiqaj dhe Nikës.
Të plagosurit janë qëlluar sapo kanë dalë nga makina e tyre tip BMW e cila nga plumbat e shumtë mori flakë.
Në momentin që ka nisur breshëria e plumbave polici dhe kunati i tij janë fshehur pas automjetit të tyre, ndërsa i treti që nuk u plagos ka arritur që të largohet në një arë duke humbur mes errësirës.
Ndërkohë polici Gjergj Ndërshtiqaj ka patur armën e shërbimit me vete, por nuk e ka përdorur pasi nuk ka arritur që të kundërpërgjigjet.
Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës ndërsa secili ka marrë nga dy plumba në trup.
Pas ngjarjes automjeti i autorëve u gjet i djegur pak në një rrugë afër zonës ku ndodhi krimi. Të dëmtuarit janë shprehur pasi janë marrë në pyetje se nuk kanë arritur që të shohin se kush ishin autorët. Sipas burimeve policore objektivi ka qenë shtetasi Gjon Nika.
Ndërkohë në Shkodër menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë mbërriti Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku duke qenë në krye të hetimeve. Është ende e paqartë se cili ishte motivi i ngjarjes së rëndë. Policia shoqëroi disa persona por pa arritur ende tek autorët e dyshuar.