Athina miraton deklaratën: Pa zgjidhjen e çështjes së Fredi Belerit, s’ka integrim në BE
Greqia ka konkretizuar qëndrimin e saj për ta përdorur çështjen “Beleri” si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas mediave greke, Athina do ta instrumentalizojë çështjen e Fredi Belerit, i cili po gjykohet pasi u arrestua gjatë zgjedhjeve të 14 majit të këtij viti me akuzën e blerjes së votave. Ndërsa nuk është lejuar të betohet si kryebashkiak i ri i Himarës.
Gjatë një takimi të mërkurën me ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të njohur si COREPER, Greqia lëshoi një deklaratë me shkrim përmes së cilës bën të ditur se pengesa e krijuar nga qeveria shqiptare për të mos e lejuar Fredi Belerin të betohet si kryebashkiak, do të shërbente si një parakusht për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
“Situata aktuale është në kundërshtim me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e pranimit”, thuhet në deklaratë.
Vlen të përmendet se kjo deklaratë me shkrim tani është regjistruar zyrtarisht nga Greqia dhe nëse përputhet me çështjet shumë themelore të ngritura nga Athina dhe janë pjesë integrale të sundimit të ligjit evropian.
“Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet për fazat e ardhshme të procesit të pranimit, si dhe gjatë procesit përfundimtar të miratimit të letrës për fillimin e negociatave për pesë kapitujt themelorë“, shpjegohet në deklaratë.
Në këtë mënyrë, Athina e sheh rastin e Belerit si provë e shkeljes së kushteve që duhet të përmbushë një shtet kandidat për hyrjen në bllokun evropian.