Athina zyrtare reagon për incidentin me Belerin: Shqipëria të marrë masa urgjente
Athina zyrtare ka dënuar incidentin ndaj eurodeputetit Fredi Beleri gjatë pranisë në Shqipëri, për takimin e Komisionit Parlamentar BE-Shqipëri për Stabilizim-Asocimin, ku një protestues hodhi ndaj tij vezë e kos.
Ministria e jashtme greke u kërkoi autoriteteve shqiptare ndërmarrjen “e menjëhershme” të masave për garantimin e sigurisë së të gjithë eurodeputetëve.
“Ky sulm është një shkelje e papranueshme e respektit dhe sigurisë që u detyrohet përfaqësuesve të zgjedhur të Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar incidente të tilla dhe të ruajnë lirinë e eurodeputetëve për të përmbushur përgjegjësitë e tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së jashtme greke.
Sulmi ndaj Belerit solli gjithashtu reagimin kolegëve të tij nga Demokracia e Re në Parlamentin Evropian. Eliza Vozemberg, duke folur në emër të eurodeputetëve të partisë, shprehu mbështetjen e palëkundur për Belerin dhe theksoi nevojën kritike për të mbrojtur sigurinë e të gjithë përfaqësuesve të Parlamentit Evropian.
“Ne dënojmë me termat më të ashpër sulmin ndaj kolegut tonë Fredi Beleris. Ky incident është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj parimeve të demokracisë dhe shenjtërisë së Parlamentit Europian. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, tha Vozemberg.
Fredi Beleri ndodhej ditën e djeshme (29 tetor) në Tiranë si pjesë e delegacionit zyrtar të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
Beleri u prit me protesta nga një grup qytetarësh të cilët hodhën kos e vezë në drejtim të tij.