ATSH – Italpress marrëveshje bashkëpunimi, ambasadori Alberti: Marrëdhëniet tona janë në nivel strategjik
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me agjencinë italiane të lajmeve, Italpress, për shkëmbimin e lajmeve, duke treguar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Marrëveshja u firmos nga drejtoresha e ATSH-së, Valbona Zhupa, dhe drejtori i Informacionit të Italpress, Gaspare Borsellino, në praninë e ambasadorit italian në Shqipëri, Marco Alberti.
Drejtoresha Zhupa e konsideroi këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm për rritjen e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke pasqyruar pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë në Ballkan.
“Kjo marrëveshje shënon një hap shumë të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona mike. Ne jemi shumë të lumtur që sot nënshkruam këtë marrëveshje bashkëpunimi me Italpress për shkëmbimin e lajmeve nga shumë fusha, turizëm, politikë, ekonomi, kulturë, sport duke kontribuar për informimin në kohë reale dhe me saktësi”, u shpreh Zhupa.
Nga ana e tij, Gaspare Borsellino shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes, duke e parë atë si një mundësi për të forcuar pranishmërinë e Italpress në Ballkan.
“Jam vërtet i lumtur dhe krenar për këtë hap të mëtejshëm, sepse demonstron rritjen e Italpress në nivel ndërkombëtar dhe veçanërisht në Ballkan, një zonë gjeografike dhe gjeopolitike gjithnjë e më e rëndësishme”, u shpreh Borsellino.
Edhe ambasadori italian, Marco Alberti, theksoi gjithashtu se kjo marrëveshje është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për të thelluar partneritetin strategjik, duke e quajtur komunikimin një element kyç të këtyre marrëdhënieve.
“Vetë komunikimi është pjesë e strategjisë së marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne kemi besim se kjo marrëveshje do të çojë në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, theksoi ambasadori Alberti.