Audicion për të rinjtë e talentuar/ “We are all made of stars” ka nisur rrugëtimin në 6 qytete të vendit
Shkolla artistike “Prenkë Jakova” dhe salla e saj e koncerteve ishte vendi që çeli dyert për fazën e parë të konkursit “We are all made of stars” edicioni i dytë për të gjithë të rinjtë e talentuar në disa disiplina si: kanto, kërcim, aktrim dhe instrument.
Pjesëmarrësit në garë performuan materiale të ndryshme të përgatitur nga mësuesit e tyre duke i falur shumë kënaqësi spektatorëve në sallë ndërsa të përzgjedhurit e kësaj faze do të kenë mundësi të interpretojnë përpara një publiku akoma më të madh në datën 30 shtator në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në kryeqytet ku në mbrëmjen gala do të marrin pjesë të rinj nga i gjithë vendi.
Pjesë e evenimentit artistik që do të mbahet në Tiranë do të jenë performancat e të rinjve të talentuar në disiplinat e ndryshme, këngët e kompozuara nga ata vetë ndërsa për më të mirët do të ndahen disa çmime ku përfshihen bursa dhe trajnime të ndryshme.
Pas ndalesës në Shkodër, audicionet për talentet e reja të moshës 15-22 vjeç do të vijojnë edhe në qytete të tjera të vendit si në Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë.
Shkolla “Prenkë Jakova” përmes aktiviteteve të tilla stimuluese për të rinjtë e talentuar të qytetit është bërë në mënyrë të vazhdueshme promovuese e tyre dhe një kultivuese e artit dhe vlerave më të mira që ai përcjell, të lidhura me traditën që ka kryeqendra e veriut Shkodra.