Audiopërgjimet/ Mimoza Kusari Lila kallëzon penalisht zyrtarin e Listës SerbeS…
Audiopërgjimet/ Mimoza Kusari Lila kallëzon penalisht zyrtarin e Listës Serbe
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka kallëzuar penalisht ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç.
Kallëzimin penal e ka bërë të ditur vetë Kusari Lila, e cila ka qenë pjesë e audioinçizimeve të publikuara në media.
Sipas saj, incizimi dhe publikimi i tij ka qenë i jashtëligjshëm nga ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiç dhe se shpërndarja e tyre me interpretime e ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.
“Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër. Të njëjtat tani janë pjesë e kallëzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023”, ka shkruar Kusari Lila në “Facebook”.
Kusari Lila shton se “përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar”.
“Nuk i ka mjaftuar incizimi, kjo vepër e rëndë penale, por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes. Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante”, ka theksuar shefja e deputetëve të VV-së.
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje ka shtuar se në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit, e që sipas saj burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.
“Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas. Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit maj dhe qershor. Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit”, ka nënvizuar Kusari Lila.
Ajo ka bërë të ditur se për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.
“Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre. Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë”, ka përfunduar Kusari Lila.