Austri, disa të shtruar në spital, dyshohet nga ilaçi i falsifikuar për diabetin
Një numër pacientësh u janë drejtuar spitaleve austriake duke kërkuar ndihmë pas marrjes së medikamentit “Ozempic” për të trajtuar diabetin.
Produkti dyshohet se ishte siguruar jashtë farmacisë dhe mund të ketë sasi të tjera ende në qarkullim.
Zyra austriake për shëndetin njoftoi se pacientët shfaqën hipoglicemi, kriza dhe efekte të rënda shëndetësore, të cilat mendohet se u shkaktuan pasi produkti përmbante insulinë, jo përbërësin semaglutide që ka “Ozempic”.
Edhe rregullatori evropian për medikamentet paralajmëroi javën e kaluar se në Evropë po qarkullojnë aparate për diabetin në formë stilolapsi nga kompania Novo Nordisk, që janë të falsifikuara, si produkti “Ozempic” edhe “Wegovy”, i cili shërben për të humbur peshë dhe shitet në internet.
Autoritetet thonë se efikasiteti i “Ozempic” për të ulur peshën e pacientëve është provuar tashmë, dhe kjo ka ndikuar që në treg të rritet kërkesa për të, duke lejuar organizatat kriminale ta shfrytëzojnë situatën për produktet e tyre false.