Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim dy kompani të rrjeteve celulare
![Autoriteti i Konkurrencës vendos](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2025/02/Autoriteti-i-Konkurrences-vendos.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën hetim paraprak dy nga kompanitë kryesore të rrjeteve celulare në vend.
Autoriteti njoftoi të enjten (13 shkurt) se procedura është filluar në respekt të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” nisur nga ankesat e marra mbi çmimet e paketave me parapagesë.
Hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.
Më poshtë njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.01.2025, mori në shqyrtim raportin e Sekretariatit të Konkurrencës për hapjen e procedurës së hetimit parapak ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania SHA, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA.
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Tregu i telefonisë celulare ka qënë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të Autoritetit të Konkurrencës me qëllim jo vetëm mbrojtjen e konkurrencës por si rrjedhojë edhe të konsumatorit.
Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1156, datë 29.01.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA.
Ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.