Avancimi historik i Kosovës në NATO, Xhafaj: Shqipëria e bllokoi Serbinë në Asamblenë Parlamentare
Deputeti socialist Etjen Xhafaj, njëkohësisht Sekretari i Komisionit të Politikës së Jashtme, deklaroi në emisionin “Ekspres” me gazetarin Nolian Lole, që Shqipëria ja pamundësoi Serbisë lobimin që po bënte kundër Kosovës për votën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Sipas tij, delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Mimi Kodheli ka lobuar dhe vazhdon të punojë për interesat e gjithë shqiptarëve por dhe të rruajtjes së sigurisë së rajonit tonë.
“Shqipëria ka punuar dhe vazhdon të punojë, ku kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli është dhe zv. Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe ka bërë punën e saj së bashku me përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësive diplomatike në çdo nivel”.
Duke shpjeguar se si funksionojnë strukturat e NATO-s, deputeti tha se, “praktikisht votimi i Asamblesë Parlamentare e NATO-s është një arritje e madhe. Ajo ka 281 anëtar nga 32 vendet anëtare, ka përfaqësues dhe nga nëntë vendet e Asociuara sikurse u bë tashmë dhe Kosova, ka dhe vende të tjera që janë vëzhguese.
“Vendet e asociuara, ndryshe nga vendet vëzhguese kanë mundësinë të paraqesin kërkesa për rezolutë dhe paraqesin raporte. Nuk kanë të drejtë vote por mund të dëgjohet zëri i tyre në Asamblesë në Parlamentare”.