Avokatët braktisën seancën, gjykata nuk humb kohë, i cakton Berishës “Avokat kryesisht”

avokat

avokat

Gjykata nuk ka humbur kohë. I cakton avokat kryesisht Sali Berishës, pas braktisjes së seancës nga dy avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, të cilët duket se humbin të drejtën për të përfaqësuar Berishën si klient, në momentin e marrjes në pyetje të ish- kryeministrit.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bëri të ditur se ka çelur seancën gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim, Sali Berisha.

Gjykata pasi ka verifikuar praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e tij, të zgjedhur me prokurë të posaçme, av. Sokol Mëngjesi dhe av. Genc Gjokutaj.

“Nga ana e mbrojtësve u parashtruan 2 kërkesa, e konkretisht: Për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj si dhe njëherazi kërkuan dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.   Pasi gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit, disponoi si vijon lidhur me kërkesat e parashtruara nga ana e mbrojtësve të zgjedhur të të hetuarit Sali Berisha: Lidhur me kërkesën për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, gjykata ka disponuar me vendim në seancën e shkuar gjyqësore të datës 24.10.2023, me të cilin është pranuar kërkesa e tyre për njohjen me aktet dhe njëkohësisht të marrin kopje të tyre konform nenit 105,110 dhe 248, pika 1 e K.Pr.Penale. Pranoi kërkesën për vënien në dispozicion të CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj, kundrejt tarifave respektive.”, thuhet në njoftim.

Por Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar  kërkesën për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.

Në vijim, nga ana e mbrojtësve av. Sokol Mëngjesi dhe av. Genc Gjokutaj, u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

“Gjykata njoftoi se në seancën e parë gjyqësore, në kushtet që nuk ishte në dijeni për zgjedhjen e një mbrojtësi nga ana e të hetuarit Sali Berisha, referuar listës së avokatëve kryesisht, urdhëroi njoftimin e avokatit Artan Simoni, duke i bërë me dije këtij të fundit që të paraqitej pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate për tu njohur paraprakisht  me aktet, në eventualitet që nga ana e të hetuarit Sali Berisha nuk do të bëhej zgjedhja e një mbrojtësi.”, njofton gjykata.  

Pas marrjes së mendimit të prokurorëve, në kushtet që 2 avokatët e zgjedhur nga ana e të hetuarit Sali Berisha, av. Sokol Mëngjesi dhe av. Genc Gjokutaj  u larguan nga salla e gjyqit, bazuar në nenin 6, 48 dhe 248 të K.Pr.Penale, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, anëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, në mbrojtje të interesave të ligjshme të të hetuarit Sali Berisha.

Gjykata ka ndërprerë për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.  

Braktisja e seancës

Dy përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, braktisën të mërkurën seancën në Gjykatën e Posaçme për aferën e kompleksit ‘Partizani’, ku Berisha akuzohet nga drejtësia se ka ushtruar pushtetij e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin, Jamarbër Malltezi. Dy avokatët kanë vendosur të largohen, pasi gjykata ka rrëzuar disa kërkesa të tyre.

Sot u paraqitëm në seancë ku, që dje, kemi paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Kërkuam që Gjykata të vendosë të na japë kopje të akteve. Pa u njohur me aktet gjykata merr vendim për vazhdim seance. Gjykata refuzoi kërkesën që çështja të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.

Sipas tij, gjykata ka shkelë Kushtetutën dhe ligjin.

“Binomi SPAK- GJKKO, duan të vijojnë procesin me ‘Avokatë kryesisht’, i cili është shkelja më e vogël përballë shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit procedural penal”, tha Gjokutaj.

Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv dhe i janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’, si dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’. Berisha sërish nuk është paraqitur në Gjykatë, por ka çuar dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi.

Dosja me akuza

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Berisha për “korrupsion pasiv”.  Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’.

Dy ditë më parë GJKKO vendosi të lerë në fuqi masën “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. 

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij, Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.