Avokatët e Trampit i kërkojnë Gjykatës së Lartë të pushojë çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje
Avokatët e ish-presidentit Donald Tramp (Trump) i kërkuan Gjykatës së Lartë amerikane të konstatojë se krerët e shtetit kanë imunitet absolut nga ndjekja penale për aktet zyrtare që ata marrin në detyrë dhe, për rrjedhojë, të pushojë çështjen penale federale kundër republikanit për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Argumentet nga Tramp erdhën në një përmbledhje të dorëzuar në gjykatë të martën përpara argumenteve gojore që do të jepen më 25 prill, kur gjyqtarët do të shqyrtojnë në çfarë mase një ish-president ka imunitet absolut nga ndjekja penale për sjellje që supozohet se përfshin akte zyrtare.
“Gjykata duhet të rivendosë traditën dhe të neutralizojë një nga kërcënimet më të mëdha ndaj pushtetit të veçantë të presidentit, një themel i republikës sonë, në historinë e kombit tonë. Gjykata duhet të ruajë imunitetin e presidentit nga ndjekja penale për veprimet zyrtare,” thuhet në përmbledhjen e Tramp.
Në dosjen prej 67 faqesh, Tramp riavancoi argumentin se ai gëzonte imunitet absolut nga ndjekja penale sepse sjellja e akuzuar nga prokurori i posaçëm Xhek (Jack) Smith mbi komplotin e tij për të ndaluar transferimin e pushtetit, është brenda “perimetrit” të detyrave të tij si president.
Dokumenti pretendonte se të gjitha përpjekjet e Tramp për të ndryshuar humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, nga presioni ndaj zëvendëspresidentit të tij, Mike Pence, për të ndaluar certifikimin e 6 janarit 2021 deri te organizimi i listave të rreme të zgjedhësve, ishin aktivitet i mbrojtur.
Nëse gjykata supreme do të pajtohet me Tramp se ai gëzonte imunitet absolut nga ndjekja penale, do duhet të hedhë poshtë aktakuzën në tërësi.