Avokatët Gjokutaj dhe Mëngjezi braktisin seancën. Berisha do të përfaqësohet nga ‘Avokatë kryesisht’?
A do të vazhdojë procesi i gjykimit për Sali Berishën në gjykatë i përfaqësuar nga “Avokatë kryesisht”? Gjykata, në kushtet kur dy avokatët e Berishës kanë braktisur seancën gjyqësore, duket se do të vijojë të ndjekë procedurat që përcakton ligji, në kushtet kur avokatët vendosin të braktisin seancën gjyqësore duke mospërfaqësuar klientin.
Dy përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, braktisën të mërkurën seancën në Gjykatën e Posaçme për aferën e kompleksit ‘Partizani’, ku Berisha akuzohet nga drejtësia se ka ushtruar pushtetij e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin, Jamarbër Malltezi. Dy avokatët kanë vendosur të largohen, pasi gjykata ka rrëzuar disa kërkesa të tyre.
“Sot u paraqitëm në seancë ku, që dje, kemi paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Kërkuam që Gjykata të vendosë të na japë kopje të akteve. Pa u njohur me aktet gjykata merr vendim për vazhdim seance. Gjykata refuzoi kërkesën që çështja të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Sipas tij, gjykata ka shkelë Kushtetutën dhe ligjin.
“Binomi SPAK- GJKKO, duan të vijojnë procesin me ‘Avokatë kryesisht’, i cili është shkelja më e vogël përballë shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit procedural penal”, tha Gjokutaj.
Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv dhe i janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’, si dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’. Berisha sërish nuk është paraqitur në Gjykatë, por ka çuar dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi.
Dosja me akuza
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Berisha për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’.
Dy ditë më parë GJKKO vendosi të lerë në fuqi masën “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij, Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.