Avokati Gjokutaj, kërkon përjashtimin gjyqtares Irena Gjoka: Është shkarkuar nga Berisha në ’96
Avokati i Ish-Kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka depozituar sot një tjetër kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjokës, në çështjen “Partizani”.
Përfaqësuesi ligjor, Genc Gjokutaj në një prononcim për median, deklaroi se gjyqtarja Irena Gjoka është shkarkuar nga detyra nga Sali Berisha në 1996 në cilësinë e kryetarit të KLD-së, si President i vendit. “Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë”- u shpreh Gjokutaj.
“Ne filluam seancën me pak vonesë pasi gjykata ishte në një gjykim tjetër, bëmë kërkesë paraprake për përjashtimin e gjyqtares Irena GJoka. Është depozituar kërkesa. Është ndërprerë seanca për t’u shqyrtuar kërkesa për përjashtim dhe për të na dhënë një kopje të akteve të prokurorisë në lidhje me objektin e kërkimit. Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë, por nuk e bëri këtë veprim pasi në ’96 kjo gjyqtare është shkarkuar nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe, i cili kryesohej nga Berisha në cilësinë e kryetarit të KLD-së si President i Republikës”, tha Gjokutaj.
Avokati theksoi se kanë kërkuar shuarje të masës ndaj ish-kryeministri Berisha pasi sipas tij gjykata nuk ka zbardhur vendimin dhe për pasojë nuk ka bërë ekzekutimin.
Seanca është shtyrë për shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtares dhe do të rinisë në orën 15:30.