Azia Juglindore përballet me nxehtësi ekstreme, shkencëtarët paralajmërojnë: Nuk do ketë përmirësim
Vdekja e një vogëlushi nga nxehtësia ekstreme theksoi rrezikun e sëmundjeve të lidhura me klimën në të gjithë Malajzinë. Në të njëjtën javë, Vietnami shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi temperaturat e larta anormale në jug thanë fusha të tëra orizi. Dhe në Filipine, qindra shkolla pezulluan mësimet pasi temperaturat ditore u rritën mbi 42 gradë Celsius.
Nxehtësia ekstreme është rikthyer në Azinë Juglindore, një nga rajonet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Dhe nuk do të largohet së shpejti, kanë paralajmëruar shkencëtarët.
Shtëpia e më shumë se 675 milionë njerëzve në 11 vende, rajoni ka parë që temperaturat të arrijnë nivele të paprecedentë, tha për CNN klimatologu Maximiliano Herrera. Tajlanda është goditur më keq, tha Herrera, duke shtuar se temperaturat atje kanë qenë veçanërisht të tmerrshme. Temperaturat në të gjithë vendin kishin “thyer rekorde pa ndërprerje” për 13 muaj dhe nivelet e nxehtësisë dhe lagështisë ishin të pamëshirshme, tha ai.
“Ne menduam se temperaturat vitin e kaluar ishin të padurueshme, por ajo që po shohim këtë vit e ka mposhtur atë dhe në Bangkok temperaturat nuk do të bien nën 30 gradë Celsius, madje edhe gjatë natës. Tendenca është e pashmangshme. Rajoni duhet të përgatitet për nxehtësi të tmerrshme”, tha Herrera./ CNN