Baerbock: G-20 do ta konsiderojë Putinin përgjegjës për pasojat e luftës në Ukrainë
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ka bërë të ditur se në takimin e G-20, bota do ta konsiderojë përgjegjës Vladimir Putinin për luftën në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo.
“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim. Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, ka deklaruar Baerbock para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa sfidat globale janë rritur pas luftës në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.