Bajden: Angazhimet e mbrojtjes së SHBA ndaj Japonisë dhe Filipineve mbeten ‘të hekurta’
Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) ka garantuar mbrojtje ndaj Japonisë dhe Filipineve.
Në takimin me lider të këtyre dy vendeve mes mosmarrëveshjeve të tyre territoriale me Kinën, Bajden tha se angazhimet e SHBA-ve për mbrojtjen e Japonisë dhe Filipineve mbeten “të hekurta”.
Komentet erdhën pasi Bajden priti samitin e parë trepalësh midis tre vendeve, duke mirëpritur presidentin filipinas Ferdinand Markos (Marcos Jr.) në Shtëpinë e Bardhë një ditë pas vizitës zyrtare të kryeministrit japonez Fumio Kishida.
“Kur qëndrojmë si një, ne jemi në gjendje të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Bajden.
Duke iu referuar tensioneve filipino-kineze, Bajden tha se “çdo sulm ndaj avionëve, anijeve ose forcave të armatosura filipinase në Detin e Kinës Jugore do të thërriste traktatin tonë të mbrojtjes reciproke”.
Tensionet Filipine-Kinë janë fokusuar në Second Thomas Shoal, i cili ndodhet rreth 200 kilometra (125 milje) nga bregu i ishullit filipinas të Palawan.
Ndërkohë, Kina pretendon tokën, e cila është në zonën ekskluzive ekonomike të Filipineve, si territorin e saj sovran, ashtu siç bën pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, në kundërshtim me një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar. Përplasjet e fundit kanë ndodhur kur përpjekjet e Filipineve për të rifurnizuar forcat në anije janë përballur nga anijet e Rojës Bregdetare të Kinës duke gjuajtur me topa uji në anijet e rifurnizimit të Filipineve, duke rezultuar në lëndime të marinarëve filipinas dhe dëmtime të anijeve.
Traktati i mbrojtjes reciproke i vitit 1951 ndërmjet SHBA-së dhe Filipineve (pakti më i vjetër i tillë amerikan në Azi-Paqësor), përcakton që të dyja palët do të ndihmonin në mbrojtjen e njëra-tjetrës nëse njëra do të sulmohej nga një palë e tretë.