Bajden nënshkruan ligjet e ndihmës Ukrainë-Izrael dhe ndalimin e TikTok
Presidenti i SHBA-së Xho Bajden (Joe Biden) ka nënshkruar ligjin që do të siguronte 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën për luftën e saj me Rusinë, miratimi i të cilit nga Kongresi shënoi një fitore të rrallë dypartiake për të dhe një fund të mosmarrëveshjes disamujore me republikanët.
Ky ligj “siguron mbështetje jetike për partnerët e Amerikës për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre kombëtar,” vuri në dukje Bajden, duke njoftuar se pajisjet ushtarake do të dërgoheshin në Ukrainë “brenda orëve të ardhshme”.
Ligji kërkon 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, 26 miliardë dollarë të tjera për Izraelin, 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për Gazën dhe 8 miliardë dollarë për të kompensuar fuqinë ushtarake të Kinës.
Tekstet e miratuara nga Kongresi “do ta bëjnë Amerikën dhe botën më të sigurt”, tha Bajden. “Ky është një investim në sigurinë tonë ,” shtoi ai. “Ne nuk do të përkulemi para askujt. Askujt. Dhe sigurisht jo për (Presidentin rus) Vladimir Putin. Ne nuk i braktisim aleatët tanë, ne i mbështesim ata. Ne nuk i lëmë tiranët të fitojnë, ne i rezistojmë. Ne nuk i shikojmë zhvillimet në botë si spektatorë, ne i formësojmë ato (…) Ja çfarë do të thotë të jesh superfuqi globale”, ka theksuar ai.
Duke iu referuar ushtrisë së Ukrainës, presidenti amerikan tha se ishte “një forcë luftarake me vullnet dhe aftësi për të fituar” luftën, ndërsa akuzoi republikanët pranë Donald Trump për bllokimin e ndihmës. Ai falënderoi kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve për ndihmën në avancimin e projekt-ligjit, por vuri në dukje se ai duhet të përfshijë gjithashtu financimin për sigurinë kufitare.
Për Izraelin, Biden tha se siguria e tij është “me rëndësi kritike”. Por në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të sigurojnë që ndihma humanitare të arrijë tek palestinezët në Gaza pa vonesë. “Ne do të garantojmë menjëherë dhe do t’i ofrojmë këto ndihma, si ushqime, furnizime mjekësore dhe ujë të pijshëm,” tha ai, duke iu referuar një popullsie që “po vuan rëndë” përballë katastrofës humanitare në vazhdim.
Ndalimi i TikTok
Presidenti amerikan nënshkroi gjithashtu një projekt-ligj, i cili ndalon aplikacionin TikTok nëse kompania pronare, ByteDance e Kinës, nuk i shet asetet e saj në SHBA brenda 9 deri në 12 muajve të ardhshëm. Kjo platformë është shumë e popullarizuar në mesin e të rinjve amerikanë me prirje të majtë, një grup popullsie që konsiderohet “kyç” për rizgjedhjen e Bajdenit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Kryetari dhe CEO i TikTok, Xu Zhicheu, menjëherë pasi Bajdenit nënshkroi ligjin, tha se kompania “nuk po shkon askund” pasi beson se do të shfajësohet në gjykatë dhe do të bllokojë zbatimin e ligjit.
“Të jeni të sigurt, nuk do të shkojmë askund”, ka thënë ai në videon që ka postuar. “Faktet dhe Kushtetuta janë në anën tonë dhe presim që ato të mbizotërojnë sërish”, shtoi ai.