Bajrami nuk e fsheh lumturinë: Jemi të parët që mundëm Interin

bajrami
“Shumë i disiplinuar në detyrën që i ka ngarkuar Dionisi, atë të tharjes së burimit kryesor të lojës së Interit, pikërisht Calhanoglu. Një mesfushor sulmues punëtor që bëhet sulmues në fillimin e pjesës së dytë kur shënon golin e 1-1”.
Kështu e kanë përshkruar mediat italiane paraqitjen e mesfushorit kuqezi, Nedim Bajrami në suksesin 2-1, që skuadra e tij Sasuolo arriti në “San Siro” përballë Interit.
Ndërkohë, shënuesi i golit të parë për Sasuolon, në një prononcim për DAZN, është shprehur: “Jemi shumë të lumtur, fituam, jemi skuadra e parë që mundëm Interin, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë për t’u përmirësuar gjithmonë. E dimë që jemi një ekip i fortë, që dimë të luajmë topin, kjo është loja jonë”.
“Ne duhet të vazhdojmë kështu. Kemi edhe shumë lojtarë të rinj, mendojmë se jemi një grup i plotë. Roli im? Si mesfushor sulmues ndihem mirë dhe jam i lumtur që trajneri më lë të luaj atje”.