Balla: 247 persona në kërkim, një pjesë fshihen në Shkodër. T’i jepet fund karshillëkut ndaj ligjit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një prononcim për media pas analizës vjetore të Dreëjtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës, ka konfirmuar në sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Ai u shpreh se kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal është një prej sfidave më të rëndësishme.
“Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Dua të them prej momentit të parë se një prej sfidave më të rëndësishme tona mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti. Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e PSH në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara nga PSH gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Viti 2024 do të jetë konsolidimi i këtyre rezultateve për të garantuar Alpe të pastra, të cilat të jenë destinacion turistik, por të mos jenë më destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike, e përmes kësaj veprimtarie për të furnizuar apo financuar veprimtari të tyre kriminale”, tha Balla teksa bëri me dije se 247 persona janë në kërkim dhe një pjesë e tyre fshihen në Shkodër.
Një prej objektivave të Policisë së Shtetit, theksoi ministri, është fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”.
Ministri garantoi më tej se viti 2024 do të jetë një vit ku ne do t’i ushtrohet një vëmendje e veçantë, pjesës që lidhet me parandalimin e ngjarjeve kriminale.
“Në 2023 kemi patur 6 ngjarje të rënda kriminale, krime kundër personit. Janë zbuluar 5, kemi një ngjarje kriminale të pazbuluar, por për mua kjo nuk mjafton, sepse do t’i referohem të gjitha ngjarjeve kriminale nga vitit 1992 e këtej. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm kemi një qasje për t’i shkuar në fund çdo ngjarje kriminale. Po komunikojmë me prokuroritë, SPAK apo të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të parë statusin e dosjeve përkatëse, sepse biem të gjithë dakord që një ngjarje e vjetër kriminale e pazbuluar është burim i një ngjarje të re kriminale”, tha ai.