Balla: Intensifikohen operacionet antikanabis në zonat me risk të lartë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla përcolli përgëzime për punën e policisë në operacionet kundër kultivimit të kanabisit.
Balla nënvizoi punën intensive të Policisë së Shtetit ndërsa ndau pamje nga operacionet e zhvilluara nga forcat e rendit, ku janë asgjësuar rreth 15 mijë bimë narkotike.
“Policia e Shtetit, javët e fundit, ka shpeshtuar operacionet antikanabis në zonat me risk të lartë. Në 24 orët e fundit, në gjithë territorin e vendit, operacionet janë zhvilluar jo vetëm nga toka, por edhe nga ajri përmes helikopterit, me qëllim goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike”, shkruan Balla.
“Përgëzime Policisë së Shtetit Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Skrapar, Krujë, Kurbin dhe Peqin, për asgjësimin e rreth 15 mijë bimëve narkotike, si dhe vënien para drejtësisë së shtetasve që ushtronin këtë veprimtari kriminale”, shkruan ministri Balla në rrjetet sociale.
Në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, u kryen një sërë kontrollesh nga ajri, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, me objektiv goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Stacionit të Policisë Theth gjetën në territorin e njësisë administrative Shalë dhe asgjësuan 10 777 bimë dhe fidanë cannabisi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Kelmend dhe asgjësuan 2464 bimë cannabisi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën në territorin e njësisë administrative Qelzë dhe asgjësuan 193 bimë cannabisi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Fierzë dhe asgjësuan 775 bimë kanabisi.
Megaaoperacioni do të vijojë nga ajri dhe nga toka. Ndërkaq, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po kryhen hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e këtyre rasteve.