Balla: Ligj të ri për Policinë e Shtetit dhe gjurmimin e parave të krimit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla paralajmëroi se do të bëhen disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit deh për zyrën e rikuperimit të aseteve të krimit.
Në mbyllje të konferencës ndërkombëtare të INTERPOL që u zhvillua në Tiranë, Balla tha se do të forcohen edhe më shumë metodat dhe mënyrat për të ndjekur paratë e krimit dhe të nxjerrin të arratisurit para drejtësisë.
“Ne do të bëjmë disa ndryshime për një ligj të ri për Policinë e Shtetit dhe zyrën e rikuperimit të aseteve për të gjurmuar krimin e organizuar. Kjo është mënyra për të luftuar krimin e organizuar duke shkruar te paratë e tyre. Do vijojmë bashkëpunimet të krijuar besimin te publiku dhe luftuar pandëshkueshmërinë dhe sjellë para drejtësisë të gjithë të arratisurit”, tha Balla.
Ministri u shpreh se Shqipëria do të rrisë edhe më shumë forcat në luftën ndaj krimit kibernetikë dhe terrorizmit, ndërsa shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur asistencën dhe buxhetin në mbështetje të INTERPOL.
“Në analizat e thella mund të identifikohen modelet e krimit dhe ndërhyrja në kohë për parandalimin e tyre. Kjo përfshinë përdorimin e teknologjive të avancuara [për monitorimin e komunikimeve dhe transaksioneve bankare si dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale mes organizatave tona ligjzbatuese. Duhet një qasje e unifikuar që të gjithë aktorët e përfshirë të punojnë për të ndërtuar strategji të përbashkëta kundër atyre që kërkojnë të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe botë. Terrorizmi dhe krimet kibernetike janë sfidat më të mëdha në epokën tonë digjitale dhe ndërhyrja në kohë mund të parandaloj këtë krim. Sheh gatishmërinë tonë për të rritur asistencën tonë dhe buxhetin në mbështetje të asaj që Interpol bën”, tha Balla.