Balla- Merino: Operacioni ‘Sundimi i ligjit’ do të shtrihet në çdo skutë ku fshihen armët pa leje
Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti të enjten Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Tiranë, Monica Merino, me të cilën diskutoi mbi strategjinë kundër posedimit, keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri Balla, nëpërmjet një postimi në Facebook. Balla, në këtë takim tha se problemi i mbledhjes dhe regjistrimit të armëve që mbahen në mënyrë të paligjshme nga shtetasit në Shqipëri, është i njohur prej vitesh, pas krizës së vitit 1997.
“Qeveria e Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me institucione të huaja e vende partnere, është e angazhuar tërësisht në adresimin e këtij problemi të mprehtë për rendin dhe sigurinë në vend”, tha ai.
Ministri Balla u ndal edhe te ngjarja tragjike e ndodhur sot në bashkinë Kamëz, ku një shtetas ka vrarë me armë zjarri fqinjin e vet dhe ka plagosur një tjetër.
“Armëmbajtja pa leje është gjithmonë burim potencial i krimeve të rënda kundër personit, sikurse sapo ka ndodhur sot një ngjarje e rëndë në Bashkinë Kamëz,” është shprehur ministri Balla.
Ai theksoi gjithashtu se është detyrë e Policisë e Shtetit për të vijuar goditjen me vendosmëri të fenomenit të armëmbajtjes.
“Operacioni kombëtar ‘Sundimi i ligjit’ duhet të shtrihet kudo dhe të kontrollohet çdo skutë ku fshihet një armë pa leje”, tha ai.
Ministri Balla njoftoi gjithashtu se UNDP dhe qeveria e Polonisë po kontribuojnë në mënyrë të ndjeshme për forcimin e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri, përmes dhurimit të pajisjeve moderne nga më të ndryshmet.
“Një mbështetje e vlefshme nga UNDP po zbatohet për shërbimet zjarrfikëse në disa bashki, falë financimit të Qeverisë së Polonisë, duke u ofruar mbështetje me uniforma zjarrfikëse, 3 makina zjarrfikëse dhe shumë pajisje moderne për shpëtimin,” u shpreh Balla lidhur me ndihmën e dhënë.
Ai siguroi se Ministria e Brendshme mbetet e angazhuar në modernizimin e shërbimit zjarrfikës në të gjithë vendin.