Balla, opozitës: Ju s’keni hallin e Kosovës, por si të sulmoni Edi Ramën
Ministri i Brendshëm Taulant ka reaguar ndaj qëndrimit të opozitës në Kuvend duke theksuar se sot duhet të miratohet rezoluta për Kosovën që dënon sulmet serbe në veri dhe jo të kthehet në sherr politik salla e Parlamentit.
Sipas Ballës, opozita ka në axhendën e saj sulmet ndaj kryeministrit Rama dhe jo shqetësimin për Kosovën. Ndërsa theksoi se s’mund të shqetësohen për Kosovën ata që kanë furnizuar me naftë Serbinë në periudhën e regjimit të Millosheviçit, duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Berisha.
“Ajo që më vjen keq është që përpjekja e opozitës në Shqipëri se ju keni hallin se si të sulmoni Edi Ramën, s’keni fare hallin e Kosovës.
Nuk mund ta kenë hallin e Kosovës ata që e kanë furnizuar Serbinë me naftë duke thyer embargon që këtu e 30 vite më parë.
Prandaj, zonja kryetare e Kuvendit propozimi në këtë situatë duhej të ishte miratimi i rezolutës një orë e më parë. Ju doni debat ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një qëndrim”, u shpreh Balla.
Balla nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një qëndrim; duke votuar rezolutën e Kosovës duke dënuar sulmet e armatosura të Serbisë.
“Përpjekja për të krijuar situata të papranueshme në Kuvendin e Shqipërisë duke shkuar deri te bllokimi i foltores në një kohë që mesazhi që duhet të japë Kuvendi i Shqipërisë për Kosovën është mesazhi i bashkimit dhe duhet të jeni shumë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë është një qëndrim i fortë i vendit amë, natyrshëm dhe qëndrimet e kryeministrit Rama janë qëndrimet e duhura”, theksoi Balla.