Balla: S’do tolerojmë asnjë shqiptar që kërkon të largohet duke kërkuar azil jashtë vendit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla teksa ka inspektuar pikën kufitare të Rinasit kërkoi që të mos tolerohet me askënd që kërkon të largohet nga Shqipëria për të marrë azil jashtë vendit.
Balla tha se personat e korruptuar do të përjashtohen nga radhët e policisë së Shtetit.
“Ne duam të shohim një shërbim kufitar të rregullt, me mirësjellje dhe pa dyshim një shërbim kufitar i cili të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ne nuk do të tolerojmë që mes nesh, në policinë kufitare, të kemi nga ata që tradhtojnë betimin e punonjësit të policisë, besimin e qytetarëve.
Këtu mund të vijnë edhe qytetarë të huaj të cilët synojnë që të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe përmes saj, të shkojnë në vende të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë një gjë të tillë. Edhe në largim, duhet të mos tolerojmë askënd që mund të largohet nga Shqipëria për qëllime të kërkimit të azilit, – theksoi ministri i Brendshëm gjatë bisedës së zhvilluar me punonjësit e policisë në Rinas.
Balla nënvizoi se punonjësit e policisë kufitare janë filtri më i fortë për ndalimin e migracionit të paligjshëm, qofshin ata shtetas shqiptarë që kërkojnë azil në BE, qofshin shtetas nga vende të treta që përdorin Shqipërinë për të kaluar në vendet e BE-së.
Sa i përket problematikave të emigracionit të paligjshëm, ministri Balla u shpreh se “dua të theksoj punën që është bërë dhe vijon të bëhet kundër emigracionit të paligjshëm ose kërkesave për azil në vendet e BE-së nga qytetarë shqiptarë. Shifrat e 2-mujorit janë brenda mesatares së vendeve të tjera por gjithsesi duhet të rritet fokusi në ato intervistimet që bëhen.”