Balla : Siguria në shkolla dhe lufta kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike prioritete kryesore për policinë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me operacionet e fundit antidrogë të zhvilluara nga Policia e Shtetit, duke u shprehur se tashmë po shënohen rezultate konkrete.
Duke publikuar pamje nga aksionet e e Policisë së Shtetit, ministri Balla ka shprehur angazhimin e Institucionit që ai drejton dhe Policisë së Shtetit për domosdoshmërinë e shkatërrimit të grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike.
Në reagimin e tij, Balla thekson se, “Policia e Shtetit po godet rrjetet e shpërndarësve të lëndëve narkotike duke shënuar rezultate konkrete”.
“Vetëm gjatë 48 orëve të fundit aksionet policore Gjirokastër, Lezhë, Mirditë, Berat dhe Durrës kanë ndaluar gjashtë persona dhe sekuestruar doza të shumta kokaine dhe kanabis në mjedise argëtimi, të frekuentuara nga të rinjtë” shkruan Balla.
Ndërsa e garanton publikun për goditje sistematike të këtij fenomeni me rezultate të përditshme, Balla, thekson porosinë e Policisë së Shtetit për domosdoshmërinë e shkatërrimit të grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike.
“Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të vijojë të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e keqbërësve të narkotikëve. Prandaj Policia e Shtetit i ka sot #PaketëneSigurisënëshkolla dhe luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike prioritete kryesore”, përfundon reagimin e tij ministri Balla.