Balla takon zyrtarin britanik: Zero anije të vogla me emigrantë drejt Britanisë së Madhe për janarin 2024
Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot në një takim zyrtarin britanik, Stuart Skeates, Koordinator Special i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Emigracionin e Paligjshëm. Ky takim u zhvillua në kuadër të luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale.
Në fjalën e tij ministri Balla theksoi se nuk ka patur asnjë anije të vogël të nisur me emigrantë shqiptarë drejt Britanisë së Madhe për janarin 2024.
Referuar rezultateve të Task Forcës së Përbashkët, Balla tha patur një ulje prej 93% të rasteve të emigrantëve shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar.
Takimi me dy zyrtarët e lartë britanikë u mbajt vetëm pak kohë pas vizitës zyrtare të ministrit Balla në Britaninë e Madhe, në nëntor 2023, gjatë së cilës u firmos Deklarata e Bashkëpunimit për Çështjet e Brendshme/Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë takimit Ministri theksoi se strukturat shqiptare kanë nevojë për mbështetje logjistike dhe pajisje nga pala britanike pasi nga përvoja rezulton se një mbështetje e tillë sjellë më shumë rezultate.
Ministri Balla nënvizoi gjithashtu nevojën për të pasur vendimet e gjykatave britanike për shtetasit shqiptarë të dënuar atje dhe të kthyer në Shqipëri.