Balla: Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si ministër i Brendshëm
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi të premten në ceremoninë e prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të AMP, Florian Sulejmani se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit të tij si ministër.
Sipas tij, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra.
“Besoj pas 130 ditëve së bashku më keni dhënë të drejtë për çfarë i thashë drejtuesve të Policisë së Shtetit, ditën e parë në detyrë. Një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sa nga këta 260 punonjës policie keni arrestuar apo proceduar si të përfshirë apo mos-veprim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Në këto 4 muaj e pak së bashku kam vlerësuar rritjen dita ditës së forcës goditëse. Po ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës me grada të ulëta ndërsa fare pak me grada më të larta.”, tha Balla.
Sipas tij, bashkë me pritshmëritë e publikut, ka ardhur momenti që të ngrihet në një nivel të ri dhe standard më të lartë procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, dhe të subjekteve të tjera ndaj të cilëve ushtron mbikëqyrje AMP-ja, siç janë Garda e Republikës dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
“Lufta kundër korrupsionit nuk nis nga jashtë nesh, por së pari brenda nesh. Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm. Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.”, tha Balla.
Sipas tij, roli i AMP në këtë vetëpastrim është jetik, pasi “veshi i shurdhër dhe syri qorr”, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
“Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai i kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur.”, tha Balla.