Ballkaniada e boksit – Lazri dhe Jubani kualifikohen në zonën e medaljeve
Dy boksierët e “Tërbuni Boks”, që po konkurojnë me ekipin kombëtar në Kampionatin Ballkanik të boksit , që po mbahet në Serbi, kanë arritur të shkojnë në finale.
Katër herë kampioni i Shqipërisë, Jurgen Lazri, i peshës 63 kg, ka arritur të mposhtë kampionin e Moldavisë, Igor Nazarov .
Me këtë fitore, kampioni shqiptar, Jurgen Lazri është kualifikuar në turin e dytë duke u futur në zonën e medaljeve.
Ndeshja e radhës për Lazrin do të jetë mbrëmjen e së martës, ku shorti e ka vënë të përballet me kampionin e Rumanisë, Florin Ulmeanu, i cili është njëkohësisht edhe kampioni i Europës në fuqi për këtë peshë.
Ndërkohë, edhe boksieri tjetër i “Tërbuni Boks”, Kristian Jubani, që përfaqëson Shqipërinë në Ballkaniadë, është kualifikuar në finale, ndeshjen e së të cilës do ta zhvillojë me datë 21 nëntor , duke pasur përballë një boksier shumë cilësor nga Rumania, Stoica Serban.
Shkodrani Jurgen Lazri ishte i pari që u ngjit në ring për Kombëtaren e Shqipërisë duke regjistruar fitoren e parë kuqezi.
Ndërkohë, pas tij kanë boksuar mjaft mirë edhe dy boksierët e tjerë kuqezi, Jurgen Gashi dhe Besian Karaj, të cilët i mbyllen ndeshjet e tyre me fitore. Ndërsa, për Renis Tresen dhe Stiven Xixin, megjithë fuftën e fortë në ring, nuk arritën të dalin fitues duke e mbyllur këtu konkurimin në Ballkaniadë.