Balluku: Dixhitalizojmë procesin e prokurimeve publike, përdorim inteligjencën artificiale
Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të qeverisë u kalua një prej projektligjeve më të rëndësishme, që sipas saj do afektojë procedurën e prokurimeve në Shqipëri.
Balluku u shpreh se një prej risive që vjen nga ky pr.ligj është dixhitalizimi i procesit të prokurimeve.
Sipas ministres, kryerja e disa proceseve të prokurimit publik, me sisteme elektronike të certifikuara do ulë ndikimin e faktorit njerëzor në proceset e prokurimeve dhe do automatizojë këtë proces.
“Një prej pr.ligjeve më të rëndësishme që do afektojë gjithë procedurën e prokurimeve në vendin tonë dhe ka për qëllim të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri duke e përafruar atë me kuadrin ligjor të prokurimit të Bashkimit Evropian dhe dukje adresuar gjetjet që kanë dalë gjatë procesit të screening në Bruksel.
Risitë: Synon dixhitalizimin e procesit të prokurimeve. Duke pasur parasysh se qeveria ka dixhitalizuar pjesën më të madhe të shërbimeve që ne ofrojmë nga institucionet e administratës. Nga ana tjetër dhe përqasja jonë për dixhitalizimin do prekë dhe sektorin e prokurimeve.
Kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit si dhe zhvillimin dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik duke përdorur teknologji të avancuar dixhitale dhe inteligjencën artificiale.
Nga ana tjetër kryerja e disa proceseve të prokurimit publik, me sisteme elektronike të certifikuara duke ulur ndikimin e faktorit njerëzor në proceset e prokurimeve dhe duke automatizuar këtë proces”, tha Balluku.