Balluku: Në vitin 2024 do të ketë rritje me 10% të pagave për të gjithë punonjësit e burgjeve
Zëvendëskryeministrja, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi të premten se Shqipëria ka bërë një përmirësim të ndjeshëm dhe modernizim të infrastrukturës së sistemit penitenciar.
Flotën me 22 mjete të reja për transportin e punonjësve të policisë së burgjeve që u prezantua sot, Balluku e konsideroi “një investim për të gjithë ata burra dhe gra të cilët punojnë dhe kontribuojnë në sistemin penitenciar”.
“Asnjë reformë dhe asnjë projekt, asnjë strategji, asgjë nuk mund të ndodhë pa njerëzit, ndaj kryeministri Rama, qeveria shqiptare e ka të qartë dhe që në krye të herës ka punuar për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, si aseti më i rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë në një kohë transformimi të thellë. Në një kohë transformimi të çdo fushe, si asaj ekonomike, si asaj të drejtësisë, në një kohë kur reformat kanë nisur me vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Edi Rama dhe po çohen përpara në sajë të punës dhe të përkushtimit të njerëzve tanë”, tha Balluku.
Ministrja solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat përballeshin punonjësit e këtij sektori pak vite më parë.
“Dikur në autostradat apo në rrugët dytësore të Republikës së Shqipërisë të gjithë ne hasnim burra dhe gra që qëndronin buzë rrugës të veshur me uniformën e Policisë të Shtetit, tek prisnin ndonjë drejtues automjeti shpirtmirë që do t’i jepte mundësinë të shkonin në shtëpi apo në punë. Por, kjo nuk do të ndodhë më.”, theksoi ajo.
Balluku vuri në dukje se në buxhetin e vitit 2024 do të ketë rritje me 10% të pagave për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm që ne besojmë që do të ndikojë edhe më tej në rritjen e performancës të secilit punonjës duke vënë në vend dinjitetin e secilit prej jush, nga transporti që tashmë do të jetë në dispozicionin tuaj dhe pagat të cilat tashmë do të jenë jo thjesht të ngjashme, por të konkurrueshme me rajonin”, tha ajo.
Sipas saj, reformat e ndërmarra jo vetëm në drejtim të zhvillimit ekonomik, por edhe në drejtim të sigurisë kanë bërë që Shqipëria të shihet si vend atraktiv për t’u vizituar vitet e fundit.
“Sot Shqipëria është një vend i cili ka pritur 10 milionë turistë, por këto 10 milionë turistë nuk vijnë vetëm për bukuritë e këtij vendi, vijnë edhe për sigurinë që ky vend ofron, vijnë për shërbimet që ky vend ofron, vijnë për kulturën që ky vend ofron, vijnë për harmoninë fetare që ky vend ofron dhe ne na pyesin të gjithë që si ka mundësi që ju jetoni në këtë harmoni”, u shpreh ajo.