Banka e Shqipërisë firmos aplikimin zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA.
“Kjo është një ditë historike jo vetëm për sistemin financiar në vend, por për të gjithë qytetarët shqiptarë”, u shpreh zoti Sejko.
SEPA është një iniciativë e hershme e Bashkimit Evropian për harmonizimin e pagesave elektronike në euro, ndërmjet vendeve anëtare.
Skemat e Pagesave SEPA i sigurojnë qytetarëve dhe bizneseve evropiane, pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre. Megjithatë, zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së, duke numëruar deri tani 36 vende që kanë harmonizuar standardet për pagesat elektronike në euro.
Shqipëria është, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA. Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian të vendit, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian.
BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 2/3 e tregtisë kryhen me këto vende, ndaj përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.