Banka Qendrore Evropiane ul normën e interesit me 25 pikë
Banka Qendrore Evropiane (BQE) uli të enjten normën e interesit me 25 pikë bazë, duke përmbushur pritjet e tregut. Zyrtarët e udhëhequr nga presidentja Christine Lagarde ulën normën bazë të depozitave me një çerek pikë në 3.50%.
Lëvizja pasoi një pauzë në korrik pas një shkurtimi të parë në qershor. BQE gjithashtu uli me 60 pikë normat kryesore të rifinancimit dhe të kredisë marxhinale në 3.65% dhe 3.90%, respektivisht.
“Bazuar në vlerësimin e përditësuar të Këshillit Drejtues për perspektivën e inflacionit, dinamikën e inflacionit bazë dhe fuqinë e transmetimit të politikës monetare, tani është e përshtatshme që të ndërmerret një hap tjetër në zbutjen e shkallës së kufizimit të politikës monetare”, thuhet në një deklaratë.
Sipas një vlerësimi të shpejtë, inflacioni total ra në nivelin më të ulët tre-vjeçar prej 2.2% në gusht, falë një rënieje të kostove të energjisë, duke treguar njëfarë progresi drejt objektivit prej 2% të BQE-së. Nga ana tjetër, inflacioni bazë është ende më i lartë në 2.8%, i nxitur nga sektori i shërbimeve.