Banorët e Gazës, luftë për mbijetesë. Hyjnë me forcë në depot e ndihmave
Mijëra banorë të Gazës mësynë në depot dhe qendrat e shpërndarjes së ushqimeve të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) duke marrë miell dhe “artikuj bazë për mbijetesë”, njoftoi organizata të dielën.
“Kjo është shenjë shqetësuese që rendi civil ka filluar të prishet pas tre javësh luftë dhe rrethimi të Gazës,” tha në një deklaratë agjencia humanitare.
Në një nga depot e vendosura në Deir al-Balah ruhen furnizimet nga kolonat humanitare që kalojnë në Gazë nga Egjipti.
Furnizimet me ndihma për Gazën janë bllokuar që kur Izraeli filloi të bombardojë enklavën palestineze me popullsi të dendur, si reagim ndaj sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit prej grupit militant në pushtet, Hamas.
“Furnizimet në treg po mbarojnë, ndërsa ndihma humanitare që hyn në Rripin e Gazës me kamionë nga Egjipti është e pamjaftueshme,” njoftoi UNRWA, duke shtuar se sistemi aktual për të marrë autokolona humanitare në Gazë ishte “menduar të dështojë”.
UNRWA ka thënë se mundësitë e saj për të ndihmuar banorët e Gazës është prekur plotësisht nga sulmet ajrore që kanë vrarë më shumë se 50 persona të stafit dhe kanë kufizuar furnizimet.
E themeluar në vitin 1949 pas luftës së parë arabo-izraelite, UNRWA ofron shërbime publike, përfshirë shkolla, kujdes shëndetësor parësor dhe ndihma humanitare për Gazën, Bregun Perëndimor, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin. /Reuters