Banorët e lagjes “Xhaferaj” të Oblikës pa qendër shëndetësore
E ndërtuar rreth 8 vite më parë qëndra shëndetësore në lagjen “Xhaferaj”, pjesë e fshatit Oblikë, të Njësisë Administrative Ana e Malit, është vënë në funksion për një kohë të shkurtër e më pas u mbyll për arsye të paqarta. Edhe pse ka patur një investim të mirë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone, nuk është bërë e mundur që të punohet në të.
Banorët tregojnë se janë të detyruar të ecin rreth 30 minuta në këmbë për të shkuar në një qëndër shëndetësore, e cila ndodhet në hyrje të Oblikës, për të kryer shërbimet më elementare shëndetësore.
Sot, pas kaq vitesh ndërtesa është totalisht e braktisur, e rrënuar dhe pas asnjë shpresë për t’u vënë në dispozicion, në mënyrë që qytetarët e kësaj zone të marrin shërbimin.
Ndërkohë, këta të fundit bëjnë apel që kjo qendër shëndetësore të vihet në funksion pasi janë të detyruar të shkojnë në qendra të tjera shëndetësore, në kohë me shi dhe në të ftohtë përgjatë dimrit.