Barazim me “llogari” për Vllazninë, kuqeblutë mbajnë vendin e dytë dhe stopojnë Partizanin në të tretin

Është mbyllur në barazim, 0 me 0, ndeshja e javës së 30-të të Abissnet Superiore. E konsideruar si ndeshja më kryesore e javës, dhe në fakt e tillë ishte, sfida në fjalë nuk u ngjit në pritshmëritë e një përballje rivalësh të denjë në vite. E parë në tërësi, 45 minutat e para ishin më të bukura, pasi në fushën e lojës kishte më shumë ritëm, freski dhe raste për shënim në të të dyja portat respektive. Ndërkohë, që në pjesën e dytë kishte një farë rënie të ritmit të lojës, që ndër të tjera duket se erdhi edhe nga rënia fizike e futbollistëve në fushën e lojës. Gjithësesi, kjo pjesë e dytë kishte dy raste të pastra, fillimisht në portën e Vllaznisë, ku shpëtimtare bëhet pingulja e majtë e portjerit Qarri, ndërkohë që rastin më të pastër e kishte Vllaznia ku Çoba, edhe pse vetëm 3-4 metra larg portjerit Qirko nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë. Një rast të tillë, e kishte Vllaznia edhe në pjesën e parë, kur nga një pas i artë i Grudës në zonë, gjuajtjen e Alivodës me një penallti në lëvizje e sipër, e pengon me këmbë Qirko. 0 me 0, me një pikë nga të dyja skuadrat, ku edhe pse Vllaznia kishte udhëtuar për fitore në kryeqytet, ajo doli e kënaqur në fund nga fusha e lojës, sepse arriti të mbante vendin e dytë në renditje, duke stopuar Partizanin, rivalin direkt për vendin e dytë, i cili vazhdon të jetë poshtë kuqebluve në distancën e tre pikëve. Në ndeshjet e tjera të ditës së diele, Kukësi barazoi 1 me 1 në shtëpi me Dinamon, ndërsa në duelin Teuta-Laçi, ku dy pankinat kundërshtare kishin trajner shkodra, Martini te durrsakët dhe Cungu te laçjanët, fitues doli Laçi me rezultatin 0 me 1. Dy takimet e fundit të javës së 30-të, Erzeni-Egnatia dhe Skënderbeu-Tirana, luhen mbrëmjen e së hënës.