Barazim motivues me Hungarinë/ Kombëtarja e femrave ndal në “Loro Boriçi”
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll femra nisi konkurimin në Ligën e Kombeve me përballjen ndaj Hungarisë. Takimi i luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, i cili u transmetua drejtpërdrejt në ekranin e RTSH Shkodra u mbyll me rezultatin 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga sulmuesja Qendresa Krasniqi në minutën e 27-të, ndërsa për Hungarinë shënoi kapitenia Evelin Fenyvesi në minutën e 74-t. Nisur edhe nga dëmtimet që kishte gjatë javës, trajneri Armir Grima hodhi në fushë një formacion me ndryshime në radhët e titullareve. Rexhepi, Curraj, Maliqi, Elezaj, Krasniqi, Doçi, Bashka, Berisha, Gjini, Maksuti, Hila, ishin të besuarat nga minuta e parë, ndërkohë që gjatë ndeshjes u aktivizua edhe Troka dhe Gjergji. Në ndryshim nga ndeshjet e mëparshme kur Hungaria fitonte në Shqipëri me rezultat të thellë 6 me 0, progresi i futbollisteve kuqezi nën drejtimin e trajnerit shkodran Armir Grima, ka bërë që kombëtarja kuqezi të ketë rritje të ndjeshme në lojën e saj. Madje duke qënë edhe dominuese ndaj hungarezeve, të cilat me barazimin e marrë në “Loro Boriçi” u larguan të kënaqura nga Shkodra. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri Armir Grima dhe kapitenia Megi Doçi, e konsiderojnë rezultat pozitiv barazimin e regjistruar në ndeshjen e djeshme ndaj Hungarisë.Ndeshja e radhës për kombëtaren shqiptare të futbollit do të luhet të marten e javës së ardhshme në Belfast duke u ndeshur me Kombëtaren vendase të Irlandës së Veriut.