Barcelona në kushte dramatike, kërkon tjetër kredi 100 milionë €
Situata e vështirë financiare ka detyruar Joan Laportën të kërkojë një tjetër kredi të madhe këtë verë. Lajmin e bëri me dije e përditshmja katalanase “La Vanguardia”, e cila shpjegon se pas këtij hapi qëndron vështirësia në likuiditet e klubit katalan.
Për këtë motiv numri një i klubit po diskuton kontratën me “Nike”. Siç dihet klubi spanjoll ka një akord me shtëpinë e veshjeve sportive amerikane prej 2016-ës. Akordi, i cili përfundon në 2026-ën, i sjell Barcelonës 155 milion euro në vit. Laporta nuk ka pritur shumë për të diskutuar zgjatjen e kontratës pasi shpresonte në rritjen e shifrave, por deri më tani bisedimet nuk kanë qenë të frytshme.
Laporta për këtë çështje ka tentuar që të sondojë tregun duke hapur bisedime edhe me “Puma”-n, por edhe gjermanët kanë ofruar më pak krahasuar me kontratën aktuale dhe për këtë motiv gjithçka ka mbetur pezull sa i përket sposnosrit teknik.
Barcelona ka një borxh prej 1.35 miliardë eurosh, por ky fakt nuk ka penguar klubin që ta dërgojë deri në 1.45 miliardë euro duke aplikuar për një tjetër kredi.