Bardhaj me rrugë të amortizuara, banorët: E kemi të vështirë të kalojmë, të ndërhyjnë institucionet përgjegjëse
Këto janë disa nga rrugët në fshatin Bardhaj të njësisë administrative Rrethina në Shkodër, të cilat prej më shumë se 20 vitesh janë të amortizuara.
Një situatë kjo, e cila vit pas viti nuk po gjen zgjidhje, pavarësisht shqetësimit të ngritur nga ana e banorëve.
Ndonëse numri i banorëve të cilët jetojnë në këtë fshat është i madh, kjo për shkak edhe të distancës së afërt që ka me qytetin, sërish pjesa më e madhe e rrugëve janë të amortizuara, duke sjellë vështirësi në lëvizje.
Në këto rrugë kalojnë çdo ditë edhe fëmijët e shkollës, të cilët e kanë të vështirë për të lëvizur sidomos në ditët me shi, kur gropat mbushen me ujë.
Infrastruktura e dobët në këtë fshat është ngritur si problem disa herë nga banorët e zones, por prej vitesh duket se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.