Bardhi: Gjykata Kushtetuese humbi mundësinë për të bërë drejtësi
Deputeti i opozitës, Gazment Bardhi reagoi të hënën mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e 37 deputetëve opozitarë, nëpërmjet së cilës kërkohej që të shpallej si e papajtueshme me Kushtetutën marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri, Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, Bardhi shkruan se, “me këtë vendim Gjykata Kushtetuese humbi mundësinë të bënte drejtësi për këtë çështje”.
“Asnjë surprizë nga “Vali Bizhgat në Gjykatën Kushtetuese”! Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që GjK humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje”, shkruajti Bardhi.
Sipas tij, marrëveshja me Italinë dëmton sigurinë e interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, siç- sipas Bardhit- “edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE dhe organizatat e njohura ndërkombëtare janë shprehur”.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot se, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është në përputhje me Kushtetutën.