Bardhi kërkon interpelancë me Ramën: Po shmang përgjegjësinë. Balla: Nuk vjen për të sqaruar shpifje
Interpelanca e kërkuar nga Partia Demokratike ndaj kryeministrit Edi Rama për çështjen Becchetti është kthyer në debat mes opozitës dhe mazhorancës për mosrealizimin e saj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të shmangë detyrimin për të paraqitur argumente lidhur me çështjen Becchetti. Bardhi tha se Rama nuk mund të refuzonte të jepte llogari dhe se nuk mund t’i vendos kushte Kuvendit.
“Më 2 dhjetor kam kërkuar interpelancë me Ramën për 130 milionë eurove të shqiptarëve janë bllokuar nga arbitrazhi kundër Agon Channel. Ju thatë se kryeministrit për shkak të axhendës nuk mund të jetë prezent në seancën e shkuar por do vijohet ne seancën e radhës. Në këtë kuptim ju kishit detyrimin që sot të vendosnit në rend të parë të ditës kërkesën për interpelancë me kryeministrin. Ka patur një reagim publik të kryeministrit që ju ka diktuar edhe juve që të mos ushtroni kompetencën si[pas rregullores dhe Kushtetues për ta përfshirë në rendin e ditës. Rama nuk i vë kusht parlamentit se kur do paraqitet për të dhënë llogari. Kushti që ka vendosur nuk varet nga kuvendi, nëse vëllai i tij është apo jo i përfshirë në çështje Xibraka, por vetëm intimidim ndaj SPAK. Kërkesa ime është në përputhje me ligjin dhe të thërrisni kryeministrin Rama personalisht për të dhënë llogari për informacionin që ka dalë publikisht në media lidhur me çështjen Becchetti”, tha Bardhi.
Në përgjigje, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, e hodhi poshtë këtë kërkesë duke e quajtur si “shpifje të propaganduar publikisht.” Ai theksoi se Kryeministri nuk mund të ndërpresë angazhimet për një akuzë që, sipas tij, nuk mbështetet me prova.
“Kryeministri e ka të pamundur t’i lërë angazhimet dhe t’i përgjigjet kësaj kërkese për interpelancë për një shpifje të propaganduar publikisht. E them shpifje sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 mln euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera të Europës. Këtu na thuhet se kërkohet që të vij kryeministri për të sqaruar një shpifje. Ma gjeni në rregulloren e Shqipërisë se kush është detyrimi i kryeministrit që të paraqitet për të sqaruar një shpifje. Jo vetëm kryeministri po të gjithë ministrat janë gati të vijnë për interpelancë vetëm kur kërkesat e juaja të motivohet me fakte që mbrojnë interesin publik dhe jo mbi kërkesa që bazohen për shpifje”, tha Balla.
Pas diskutimeve, Kuvendi rrëzoi me votë kërkesën e opozitës për të zhvilluar interpelancën me kryeministrin Edi Rama.
Për interpelancën e kërkuar nga opozita, më herët ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha do t’i realizojë kur SPAK të mbyll hetimet për akuzat që Gazment Bardhi ka bërë ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, duke e akuzuar si trafikant droge.