Bardhi letër Kuvendit: Të futet në rend dite rishikimi i përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore

61627bdf76b044c79a89c05689823d29
Deputeti demokrat Gazment Bardhi i ka dërguar një shkresë Kryetares së Kuvendit për të futur në rendin e ditës në seancën plenare të ditës së sotme (5 tetor), projektvendimin për rishikimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Në shkresën drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, Bardhi argumenton faktin se në seancën e datës 21 shtator, është vendosur që ky projektvendim të futet në seancën e radhës, gjë që nuk është reflektuar nga kryetarja e Kuvendit.
Gazmend Bardhi thotë se rishikimi i përbërjes së komisionit të reformës është domosdoshmëri, pasi për më shumë se 1 vit nuk është bërë asnjë punë dhe disa anëtarë sot nuk janë më deputetë, për shkak të heqjes dorë nga mandati.

Në seancën plenare të 21 shtatorit, Kuvendi rrëzoi kërkesën e demokratit Gazment Bardhi për përfshirjen në rendin e ditës ndryshimin e anëtarëve të komisionit për reformën zgjedhore.
Me 55 vota kundër dhe 43 pro, kërkesa e Bardhit u rrëzua, ndërsa Kuvendi u shpreh me votë për shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.