Bardhi paralajmëron: PD do të bashkohet në 2024!
Deputetët opozitarë mbeshtetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, do të vijojnë aktet e mosbindjes civile në Kuvend edhe në sesionin e ri parlamentar që nis së shpejti.
Kjo është konfirmuar nga Kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi në një intervistë për RTSH-në.
Zoti Bardhi tha se nëse mazhoranca nuk reflekton për kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore dhe rikompozimi i komisionit të Reformës Zgjedhore, deputetët mund të përshkallëzojnë aksionin, ku nuk përjashtohet mundësia e ngujimit në Parlament.
Zoti Bardhi këmbëngul që mazhoranca të tërhiqet nga ligji për komisionet hetimore, pasi sipas tij me këtë nismë i heq opozitës të drejtat e kontrollit parlamentar. Ai i kërkon presidentit Bajram Begaj, të cilit i është drejtuar edhe zyrtarisht, të mos e dekretojë ligjin e miratuar vetëm me votat e mazhorancës.
Ndërkohe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, e konsideron jetike për garantimin e zgjedhjeve të lira, hartimin e Reformës Zedhore sa më konsensuale mes palëve.
Ai konfirmon për RTSH-në se po negociohet me grupimin e Berishës për bashkimin e PD-së, duke qenë shpresëplotë se 2024-tra do të konkretizojë procesin.
Ndërkaq masa e arrestit në shtëpi për Berishën, nuk shihet nga Bardhi si pengesë për procesin e bashkimit.
Vendimarrja e deputetëve demokratë do të përcaktohet në mbledhjen e grupit, që Bardhi pritet të thërrasë këtë javë.