Bardhi: Rama në Kuvend asnjë fjalë për të dënuar sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës
Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me fjalën e kryeministrit Edi Rama në Kuvend sa i takon situatës në Kosovë. Në një postim në Fejsbuk (Facebook), Bardhi shkruan se Rama nuk dënoi sulmin e grupit serb në veri, teksa akuzoi se kryeministri nxori “vetëm mllef” ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Seanca e sotme ishte për të dënuar sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës. Edi Rama në një orë fjalim, asnjë fjalë kundër Serbisë, asnjë reflektim ndaj qëndrimeve të tij kundër interesit kombëtar, por vetëm mllef ndaj opozitës, Kosovës, institucioneve legjitime të Kosovës dhe tentativë për të nxitur përçarje irracionale të faktorit politik në Kosovë”, shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit, qeveria duhet të “reflektojë” dhe të unifikohet në qëndrime me qeverinë e Kosovës. Deputeti akuzoi kreun e qeverisë për “axhendë personale” ndaj Kosovës që nuk përputhet me interesin kombëtar.
“Fatmirësisht, Kuvendi i Shqipërisë nuk ra në kurthin e tij të përçarjes për çështjet me interes kombëtar, por ka gjetur dakordësinë për të mbështetur pa rezerva Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe për t’u distancuar nga qëndrimi personal i Edi Ramës kundër Kosovës, siç opozita kërkonte prej 2 javëve. Pas përpëlitjes 2 javore PS u tërhoq dhe Kuvendi i Shqipërisë është unifikuar me të gjithë faktorin politik në Kosovë, duke bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar për të.
Kjo shpjegon mllefin ndaj opozitës në Shqipëri, por nuk justifikon dot mungesën e reflektimit që edhe qeveria e Shqipërisë të unifikohet në qëndrime me qeverinë e Kosovës. Në vend të unifikimit dhe mbështetjes ndaj Kosovës, Edi Rama edhe sot zgjodhi të mos fshehë që ka një axhendë personale ndaj Kosovës, që nuk përputhet me interesin kombëtar dhe me interesin e Kosovës e qytetarëve të saj”, shkruan Bardhi.