Bardhi: SHISH i shërben krimit të organizuar, merr informacione nga SPAK për të ndihmuar kriminelët
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur Ergyas Agasi si koordinatorin për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe sipas tij emëroi në krye të SHISH njeriun e tij pikërisht që t’i shërbente krimit.
Bardhi tha se SHISH sot në vend t’i shërbejë SPAK, merr informacione prej tij dhe i jep në shërbim të krimit të organizuar.
“Lufta ndaj krimit të organizuar është një çështje që nuk bën pjesë e veprimtarisë së këshillit të ministrave më thotë Nikolla. Në kërkesën për mocion, unë se kam përmendur asnjëherë kryeministrin, dhe më thotë ke shkelur etikën se ke cenuar integritetin, personalitetin individual dhe politikë të Kryeministrit. Unë se kam përmendur kurrë por këto mesa duket e dinë që ai kreu i narkoshtetit. Këto janë argumente që me keni sjellë me shkrim, kur kërkesa jonë ka të bëjë me një shqetësim real që kanë qytetarët. Ju e thoni në kafe por nuk keni guxim ta thoni këtu. Ju e dini shumë mirë që Rama ka caktuar një përfaqësuar për të mbajtur marrëdhëniet mes tij dhe krimit të organizuar. Ergyas Agasi është koordinatori. Pasi krijoi të gjithë fijet me krimin e organizuar, Rama njeriun e Ergyas Agasit e bëri kreun e SHISH. Sot SHISH i shërben krimit të organizuar, pse nuk i thoni ju këto? Në vend të luftojë krimin dhe të ndihmojë SPAK, tenton të marrë informacione brenda SPAK që të furnizojë krimin e organizuar. Dhe kjo nuk qenka veprimtari i Këshillit të Ministrave? Por çështje e kujt është?”, tha Bardhi.
Edhe deputetja Ina Zhupa kërkoi që kryeparlamentarja Nikolla të lexonte të plota kërkesat që i vinin nga grupi i PD dhe të zbatonte rregulloren për pranimin e Sali Berishës.
“Ju nuk keni për detyrë të zgjidhni pikat që doni të lexoni. Sali Berisha është anëtar i PD dhe kryetar i PD dhe këtë nuk e ndryshon dot as ju as Edi Rama. Janë demokratët që i kanë dhënë mandatin, zbatoni rregulloren, ju bëheni shkak që këtu të ketë përplasje dhe duam mocion me debat për atë që u shfaq në Rai 3. Kemi një republikë që e ndjenë çdo ditë që e vendosin koordinatorët e mafias se kush do punësohet dhe çfarë shkresash që lexoni ju. Keni frikë nga Sali Berisha prandaj nuk e lejoni të vijnë në Kuvend”, tha Zhupa.