Bardhi: S’i bindemi urdhrave të Ramës, nesër do jemi në parlament
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi bëri të ditur se deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në seancën plenare të së enjtes (10 tetor), edhe pse 24 deputetët e PD-së janë përjashtuar pas kaosit të krijuar në seancën e 30 shtatorit.
Pas mbledhjes së grupit, Bardhi tha për mediat se opozita nuk do i bindet urdhrave të Ramës, ndërsa i cilësoi veprimet e mazhorancës si provokime që po bëhen ndaj opozitës.
“Mazhoranca po vijon provokimet ndaj opozitës dhe asnjë nga deputetët e opozitës nuk do i nënshtrohet vendimeve personale të Ramës, se Rama e ka kthyer shtetin dhe qeverinë në personale. Të përjashtosh gjysmën e grupit të opozitës nga Kuvendi për dy muaj dhe ti detyrosh të mos ushtrojnë mandatin dhe detyrën e tyre është anti-kushtetuese. Ne nuk i bindemi këtij urdhri dhe nesër do jemi në seancë plenare”, tha Bardhi
24 deputetë të PD-së janë përjashtuar pas tensioneve të forta në sallën e Parlamentit më 30 shtator, ku deputetët e opozitës nxorën jashtë poltronat e tyre, duke u vënë flakën në shkallët e hyrjes së godinës, veprime që erdhën si reagim për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë.
Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë Gazmend Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatrin, 10 ditë Edi Palokën dhe me 40 ditë 20 deputetët e tjerë, konkretisht: Saimir Korreshit, Lefter Geshtenjës, Luan Baçit, Dashnor Sulës, Agron Gjekmarkajt, Dhurata Çupit, Xhelal Mziut, Ina Zhupës, Zheni Gjergjit, Helidon Bushatit, Lindita Metaliajt, Ramadan Likës, Asllan Dogjanit, Qani Xhafës, Flamur Hoxhës, Isuf Çelës, Kastriot Piroliy, Lodovik Hasanit, Kasem Mahmutajt dhe Edmond Spaho.