Barnat e rimbursueshme, Koçiu: Po punojmë për listën e re, procesi drejt përfundimit
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka bërë me dije pas mbledhjes së qeverisë se institucioni që ajo drejton në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor po punojnë për të sjellë listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2024.
Koçiu u shpreh se qëllimi i qeverisë është pasurimi i barnave të rimbursueshme për t’iu ardhur sa më në ndihmë qytetarëve. Ajo sqaroi gjithashtu, se ky proces është drejt përfundimit.
“Ministria e Shëndetësisë bashkë me Fondin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor janë duke punuar për të sjellë listën e re të barnave të rimbursueshme për 2024. Strukturat përkatëse po bëjnë kalkulimet e nevojshme pas sjelljes së ofertave të kompanive farmaceutike për të adresuar problematikat, për mungesën e barnave të caktuara dhe për ti ardhur në ndihmë popullatës me barna të rimbursueshme.
Qëllimi ynë është pasurimi i barnave të rimbursueshme. Procesi pritet të përfundoj shpejt”, tha Koçiu.
Ministrja u ndal më tej edhe te pr.ligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, duke e konsideruar si një akt ligjor tepër të rëndësishëm dhe që do rregullojë shëndetin riprodhues.
“Akti ligjor i rëndësishëm është ai i shëndetit seksual dhe riprodhues. Vjen në vazhdën e politikave shëndetësore e sociale.
Ndërkohë edhe të rregullojmë shëndetin riprodhues, nënkuptoj këtu mënyrën si organizohet, si funksionon dhe si monitorohet ky lloj shërbimi në Shqipëri. Është ligj rregullator. Do i nënshtrohet konsultimit publik për periudhën e parashikuar nga legjislacioni.
Ftojmë grupet e interesit, ekspertët e shëndetësisë që nëse kanë sugjerime, apo mendime të vlefshme për të kontribuar në rregullimin e këtij sektori të rëndësishëm ta bëjnë.
Për të sjellë një kuadër rregullator bashkëkohor sipas standarteve evropiane”, deklaroi ministrja.